
“Qëndrimi im është i qartë dhe i pandryshuar, kushdo që vepron në kundërshtim me ligjin dhe abuzon institucionet për interesa personale duhet të mbajë përgjegjësi”. Këtë e tha mbrëmë nga Rosomani ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, duke komentuar arrestimin e drejtorit aktual të Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, kundër të cilit është hapur hetim për pranimin e një ryshfeti prej 50,000 euro.
Tripunovski, i cili ishte në Rosoman, si pjesë e fushatës së ministrisë “Zëri që dëgjojmë – Më e mira e Maqedonisë”, duke folur për rastin, tha se si grup qeveritar ata mbeten të përkushtuar fuqimisht ndaj politikës së tolerancës zero ndaj korrupsionit, veçanërisht në fushën e menaxhimit të institucioneve.
Në këtë kontekst, ai tha se ndryshe nga më parë kur LSDM dhe BDI, nga një pozicion pushteti, mbronin zyrtarët që kishin kryer abuzime, kjo qeveri tregon se ka një qasje të ndryshme.
“I inkurajoj të gjithë fermerët dhe qytetarët, nëse kanë ndonjë informacion për abuzime, manipulime ose ndonjë veprim të paligjshëm, t’i raportojnë ato menjëherë”, tha ai.
Njëkohësisht, ministri tregoi se pret që institucionet kompetente ta hetojnë plotësisht rastin e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë.





