
MPB Maqedoni njofton se dy persona janë privuar nga liria nga gjithsej shtatë denoncime të dhunës familjare gjatë 24 orëve të fundit.
“Më 10.06.2026, në orën 03:10, në SPB Shkup, një grua 36-vjeçare denoncoi se më 09.06.2026, rreth orës 23:00, në zonën e Kisella Vodës, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj T.C. (45), me të cilin ndodhej në procedurë shkurorëzimi”.
“Më 08.06.2026, në orën 20:04, në SPB Shkup, një burrë 42-vjeçar denoncoi se në territorin e komunës së Aerodromit, ish-bashkëshortja e tij E.A. kishte sulmuar fizikisht dy fëmijët e tyre të mitur dhe atë, duke përdorur edhe një send të fortë”.
“Më 09.06.2026, në orën 15:00, në lagjen Karposh të Shkupit, nëpunës policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria B.I. (36) nga Shkupi, pas denoncimit paraprak se kishte sulmuar fizikisht ish-partneren e tij 35-vjeçare”.
“Më 09.06.2026, në orën 22:00, në SPB Shtip, një grua 57-vjeçare nga Shtipi denoncoi se ish-partneri i saj A.M. (48), nga një fshat i rajonit të Demir Kapisë, e kishte telefonuar dhe i kishte bërë kërcënime asaj dhe familjes së saj. Për rastin janë njoftuar prokurori publik dhe përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale në Shtip”.
“Më 09.06.2026, në orën 17:00, në SPB Tetovë u denoncua se rreth orës 14:15, në rrugën “Marshall Tito” në Tetovë, një grua po e rrihte fëmijën e saj të moshës rreth tre – katër -vjeçare. Sipas denoncimit, pasi kalimtarët e rastit kishin reaguar dhe ishin ndalur për ta mbrojtur fëmijën, nëna e kishte lënë atë në rrugë dhe ishte larguar me një karrocë ku ndodhej një fëmijë tjetër i mitur. Për rastin u njoftuan prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale në Tetovë, ndërsa fëmija, pas dhënies së ndihmës mjekësore, iu dorëzua Qendrës për Punë Sociale”.
“Më 09.06.2026, në orën 17:00, një grua 38-vjeçare nga Republika e Shqipërisë, me qëndrim të përkohshëm në Tetovë, denoncoi se bashkëshorti i saj J.M. (48), nga rrethina e Gostivarit, me të cilin ndodhej në procedurë shkurorëzimi, prej muajsh nuk respektonte vendimin e Qendrës së Punëve Sociale në Tetovë lidhur me takimet me fëmijët, vinte vazhdimisht para banesës së saj, i dërgonte kërcënime përmes mesazheve telefonike, e ofendonte dhe e përndiqte vazhdimisht”.
“Më 09.06.2026, në orën 21:15, nëpunës policorë nga SPB Veles e privuan nga liria B.S. (45) nga Velesi, pas denoncimit të vajzës së tij 18-vjeçare se ai e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare. Gjithashtu, edhe Qendra për Punë Sociale në Veles denoncoi se gjatë ditëve të fundit B.S. kishte sulmuar fizikisht edhe vajzën e tij të mitur, duke përdorur një send prej druri. Sipas denoncimit, ai për një periudhë të gjatë kishte keqtrajtuar dhe sulmuar fizikisht vajzat e tij. Ai u ndalua në stacion policor dhe për rastin u njoftua prokurori publik”, thonë nga MPB.
Nga MPB gjithashtu thonë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve dhe, pas dokumentimit të tyre, ndaj kryerësve do të ngrihen kallëzime përkatëse.



