
Protokolli është një procesverbal fatkeq me shumë defekte, i cili nuk është as juridikisht i rregullt dhe për këtë arsye ngrita iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për rishqyrtimin e tij.
Këtë në emisionin “Click Plus” në “TV21” e theksoi ish-kryetarja e partisë Rilindja Demokratike e Maqedonisë, Liljana Popovska, e cila vitin e kaluar e kontestoi para Gjykatës Kushtetuese Protokollin e dytë me Bullgarinë.
Sipas saj, asgjë nuk do të arrihet me futjen e bullgarëve si pakicë në Kushtetutën tonë, por vetëm do të shkaktohet edhe më shumë dëm në një kohë kur shteti bullgar nuk e njeh identitetin maqedonas.
“Protokolli për mua është bllokuesi kryesor për fillimin e eurointegrimeve dhe për zhvillimin dhe përfundimin normal të tyre. Ai është një pjesë me defekt në paketën eurointegruese dhe është krejtësisht e pasaktë kur dikush pretendon se mjafton vetëm t’i fusim bullgarët si pakicë në Kushtetutën tonë dhe se me këtë do të fillojnë eurointegrimet”, tha Popovska.




