
Edhe pse nuk u arrit marrëveshje me kompaninë ajrore me kosto të ulët Ryanair, Qeveria njofton zgjerimin e rrjetit të linjave ajrore dhe futjen e fluturimeve të reja nga aeroportet e Maqedonisë gjatë sezonit të verës.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, njoftoi se këtë verë do të vendosen pesë linja të reja ajrore nga Shkupi dhe Ohri, duke vlerësuar se vendi mbetet aktiv në fushën e trafikut ajror pavarësisht sfidave globale në industri.
Ai theksoi se shteti mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha linjat ajrore, por nuk do të pranojë kushte që, sipas tij, do të ishin të dëmshme për transportuesit e tjerë dhe interesat shtetërore.
“Ne ofrojmë subvencion prej 9 euro për çdo pasagjer të huaj në aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për aeroportin e Ohrit. Nëse duan të marrin pjesë, dera është e hapur. Por nuk mund të pranojmë shantazhe dhe kërkesa për subvencione më të larta vetëm për një kompani”, tha Nikolloski.
Sipas njoftimeve, Austrian Airlines do të krijojë një linjë direkte Vjenë-Ohër, ndërsa fluturimet nga Krakow dhe Wroclaw për në Ohër do të fillojnë gjithashtu në qershor. Dy destinacione të reja fluturimi do të vendosen nga Aeroporti i Shkupit – Palermo në Siçili dhe Alghero në Sardenjë.
Nikoloski theksoi se Maqedonia është i vetmi vend në rajon që po hap linja të reja ajrore në një kohë kur industria globale e aviacionit po përballet me një krizë serioze.
Ministri informoi gjithashtu se Wizz Air do të stacionojë një aeroplan të shtatë në Aeroportin e Shkupit, dhe kompania po shqyrton gjithashtu krijimin e një baze në Aeroportin e Ohrit.
Lidhur me furnizimin me kerozinë, Nikoloski siguron se vendi ka rezerva mbi minimumin ligjor dhe se situata është e qëndrueshme, duke shtuar se disa nga aeroportet rajonale aktualisht furnizohen pikërisht nga Maqedonia./Telegrafi/






