
Trotinetët elektrikë që po drejtohen nga të rinjtë, e madje edhe nga fëmijët, po paraqesin rrezik si për vetë ata ashtu edhe për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.
Ka pasur raste kur për shkak të shpejtësisë së madhe ata janë përplasur me këmbësorët apo edhe me automjetet dhe pasojat kanë qenë të mëdha deri edhe në fatale, pasi në të shumtën e rasteve ata nuk i përdorin paisjet mbrojtëse.
Mjeku i ndihmës së shpejtë Sejfullah Ademi për TVM2 thekson se është rritur numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore nga aksidentet me trotinetë elektrikë.
“Lëndimet janë jashtëzakonisht të rënda, duke filluar që nga lëndimet e kokës, fytyrës, gjë që kërkon intervenime shtesë, tronditje në tru si dhe padyshim ekstremitetet e pësojnë. Neve si ndihmë e shpejtë ballafaqohemi në vazhdimësi me kështu raste dhe apelojmë deri tek të gjithë qytetarët që të kenë kujdes pasiqë lëndimet janë të rënda.” – tha mjeku i ndihmës së shpejtë, Sejfullah Ademi.
Qytetarët e anketuar nga ekipi ynë thonë se trotinetët elektrikë shkaktojnë rrezik për këmbësorët, e sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
“Të rrezikshëm janë, mendoj që duhet të ndalohen për fëmijët, duhet të vihet ndonjë kusht me moshë prej çfarë moshe mund të vozitet.”
“Po e shohim edhe vetë si është puna, po shkojnë djem të rinj, me motoçikleta e krejt janë problem, shpresojmë të vjen një ligj që i rregullojnë.” – u shprehën disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se kanë nisur përgaditjet për rregullativën Ligjore, e cili pritet të parasheh një sërë rregullash në komunikacion për përdorimin e trotinetëve elektrike.
“Për momentin po bëhet analizë e kuadrit ekzistues ligjor dhe po përgatiten propozim-zgjidhjet për avancimin e tij. Grupi i punës po punon në mënyrë intensive, gjatë së cilës po shqyrtohen rekomandimet dhe praktikat e mira në këtë fushë, përvojat krahasuese nga shtetet tjera, por edhe sfidat me të cilat përballemi”, – thonë nga MPB.
Drejtuesit e trotinetëve duhet të bartin helmetë mbrojtëse, ndërsa në mbrëmje obligohen të mbajnë jelek reflektues.
Autoritetet kompetente apelojnë te prindërit që të kenë kujdes që fëmijëve deri në moshën 14 vjeçare të mos lejojnë të përdorin trotinetë elektrikë sepse e rrezikojnë veten dhe pjesmarrësit tjerë në komunikacion. /rtvm2




