
Disa banorë të fshatit Debresh protestuan sot para Komunës së Gostivarit, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për problemin me furnizimin me ujë.
Gjatë protestës, tensionet janë rritur dhe një pjesë e protestuesve kanë dëmtuar xhamat e Komunës së Gostivarit.
Në vendngjarje kanë intervenuar forcat policore për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.
Protestuesit kërkuan që problematika e kahmotshme me furmizimin me ujë të zgjidhet, pasi sipas tyre zgjidhja e këtij problemi ka qenë premtim nga çdo udhëheqësi komunale.
Për këtë rast u sqaruan dhe nga Komuna e Gostivarit. Në një njoftim për media, ata thonë se po punohet që fshati Debresh të ketë furnizim të rregullt me ujë dhe se për një muaj përfundon dhe ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit për këtë fshat.
“Komuna e Gostivarit shpreh keqardhje për vështirësitë në furnizimin me ujë në një pjesë të fshatit Debresh, problem ky që vazhdon për dekada. Gjatë këtij viti, banorët dhe përfaqësuesit e shoqatave lokale kanë zhvilluar tre takime me kryetarin e Komunës së Gostivarit dhe me ekspertët e Ndërmarrjes Komunale, ku janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit. Në këtë drejtim, kanë filluar punimet për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, e cila do të mundësojë rritje të ndjeshme të kapacitetit të ujit të pijshëm. Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit edhe për banorët e fshatit Debresh, i cili pritet të përfundojë për një muaj. Pas përfundimit të punimeve, pritet të sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë të pijshëm. Njëkohësisht, është marrë vendim edhe për përmirësimin dhe sanimin e burimit të ujit mbi fshatin Debresh, një ndërhyrje e rëndësishme që pritet të ndikojë dukshëm në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë.Komuna e Gostivarit ka dëshmuar më shumë se kurrë më parë, vullnet dhe përkushtim për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar. Për këtë arsye, i ftojmë banorët për mirëkuptim dhe durim gjatë periudhës së realizimit të punimeve, deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje”, thuhet në reagimin e Komunës.
K



