
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se rikonstruimi i Qeverisë dhe të gjitha aktivitetet e tjera nuk do të ishin të logjikshme nëse do të ishin paraparë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Siç tha Aliu, me partnerët e koalicionit duhet të fokusohen që në periudhën dyvjeçare deri në zgjedhjet e rregullta, të mbyllen të gjitha çështjet e hapura duke theksuar se para tyre kanë sfida të mëdha që presin zgjidhje.
“Nuk do kishte qenë e logjikshme të bëhen këto ndryshime dhe e gjithë kjo energji të harxhohet nëse do të kishim projektuar zgjedhjet të parakohshme parlamentare. Të gjitha këto proceset që janë të hapura presim që të ketë impakt më të madh në shoqëri si në aspektin ekonomik edhe në aspekt të mirëqenies së qytetarëve. Për këtë arsye riorganizohemi brenda për brenda që rezultatet të jenë më të dukshme, më të shpejta dhe çdo lëvizje tjetër për riorganizim aktiviteteve politike nuk do të kishin pasur asnjë logjik nëse do të kishim shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi e dini që tre muaj para duhet të kemi Qeveri teknike, pra ngushtohet hapësira jo vetëm në aspekt të zgjedhjeve të parakohshme, por 6 muaj para saj qeveria është gjysmë pasive. Ne kemi sfida shumë të mëdha, kemi kërkesa të cilat janë reale dhe të logjikshme që do të duhet që t’i japim zgjidhje dhe kjo periudhë dy vjeçare duhet të fokusohemi dhe t’i përmbyllim të gjitha proceset që janë të hapura”, deklaroi Aliu në “Click Plus” në “TV21”.
Ministri foli edhe për provimin e jurisprudencës i cili tha se VLEN tani ka një zgjidhej për provimin e jurisprudencës, që siç tha 70 për qind e provimit që permaban pjesën teorike, do të jepet në gjuhën shqipe ndërsa pjesa praktike do të jetë në gjuhën maqedonase.
Aliu theksoi se po mundohen të krijojnë zgjidhje në bazë të infrastrukturës juridike në vend, që në të ardhmen mos të hasen në probleme me kushtetuesen dhe gjykata të tjera.
“VLEN u ul nga dita e pare, e detektoi momentin dhe sfidat edhe juridike dhe politike për ta zgjidhur këtë problem dhe tani ekziston zgjidhje në përputhje me ligjet dhe infrastrukturën juridike në shtet që nesër mos të kemi probleme në kushtetuese dhe gjykata që të ngritën çështje është ose nuk është kushtetuese”, tha Aliu.





