
Një aksident i përmasave tragjike me pasoja të rënda ka ndodhur në qarkoren Radishan-Prishtinë-Mirkovcë, ku katër persona kanë humbur jetën pas një përplasjeje të fuqishme mes një veture të tipit BMW dhe një kamioni me targa të Kosovës.
Sipas informacioneve të deritanishme, përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjeti BMW të përfshihet menjëherë nga flakët.
Katër personat që ndodheshin brenda veturës nuk kanë arritur të shpëtojnë, ndërsa makina është shkrumbuar pothuajse tërësisht.
Alsat mëson paraprakisht se drejtuesi i kamionit ka mbijetuar, ndërsa sipas informacioneve të para dyshohet se ai kishte humbur vetëdijen nga lodhja, duke kaluar në korsinë e kundërt dhe duke shkaktuar përplasjen fatale. Nga goditja e fortë, vetura BMW është përfshirë menjëherë nga flakët, ndërsa katër personat që ndodheshin brenda saj nuk kanë arritur të shpëtojnë.
Forca të shumta policore vazhdojnë të mbajnë të bllokuar zonën ku ndodhi aksidenti tragjik.
Policia aktualisht nuk po lejon afrimin e ekipeve mediatike në vendin e ngjarjes, ndërsa sipas informacioneve nga terreni, prokurori i rastit ende nuk ka dhënë leje për hyrje më afër pikës ku po zhvillohen hetimet. Kordoni policor është zgjeruar në disa qindra metra, ndërsa në terren shihen patrulla të shumta policore, ekipe hetimore, zjarrfikës dhe një autoambulancë.
Për shkak të hetimeve intensive, rruga kryesore që lidh Kosovën me hyrjen veriore të Shkupit vazhdon të mbetet e bllokuar.
*Foto: Alsat




