
Banorët e Reçicës së madhe në Tetovë protestuan në pikën pagesore në Tetovë për shkak se, siç pohojnë, tokat e tyre që duhet të merren për ndërtimin e Korridorit 8, po paguhen me një çmim shumë të ulët. Shprehen se nuk janë kundër ndërtimit të infrastrukturës rrugore, por çmimi prej 3 apo 4 eurosh për metër katror është qesharak dhe i pa pranueshëm.
“Fushat dhe tokat tona janë mundi i familjarëve tanë, janë burimi i jetesës sonë dhe trashëgimia që ua lëmë fëmijëve tanë. Nuk është e drejtë që ato të merren me çmime shumë të ulëta nga ana e Qeverisë të Republikës së Maqedonisë, pa marrë parasysh vlerën reale dhe dëmin që iu shkaktohet pronarëve. Ne kërkojmë kompensim të drejtë, transparencë nga ana e shtetit dhe të barabartë për çdo qytetar që preket me projektin e Korridorit 8”.
“E sot, ne u bëjmë apel qeverisë, deputetëve tanë që ta marrin parasysh këtë iniciativën tonë, për arsye se nuk kemi krah tjetër. Si ministrat, si deputetët duhet ta marrin parasysh punën tonë. Tokat tona nuk mund të paguhen me 3 euro. Vlera e kësaj toke është shumë më e madhe sesa ajo që mendojnë ata”.
“Ne nuk jemi kundër korridorit, kundër zhvillimit, kundër asgjëje, por le ta vlerësojnë tokën sa vlen. Kjo nuk është kategori e tokës numër 5, 6, kjo është kategoria e parë. Kategoria e parë ka tjetër çmim. Ne nuk jemi në mal, jemi në fushë. Në qoftë se e marrim ta mbjellim 1 metër katror tokë, do të japë një produkt i cili i jep 240 denarë. Ajo një herë do të merret dhe më nuk kthehet. Edhe unë jam qytetar i këtij vendi, kur kaloj këtu te rruga edhe unë paguaj 30 denarë. Për atë, ai mua nuk më thotë se ‘unë ta kam marrë atë tokën e unë do të të lëshoj ty tërë jetën të kalosh”.
Banorët thonë se një metër katror me 3 apo 4 euro është e pa pranueshme për ata, ndërsa sipas tyre, me çfarëdo të mbjelle bujqësore, vlera e frutit të kultivuar do të jetë me e lartë se ajo që u ofrohet si kompensim për shpronësim. /tv21




