
Ministria e Financave në RMV po punon për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Shoqërive Financiare, me qëllim përforcimin e kornizës rregullatore, mbrojtjen më të madhe të qytetarëve dhe përmirsimin e transparencës dhe stabilitet në punën e këtyre subjekteve.
Bëhet fjalë për ndryshime ligjore që parashikojnë vendosjen e trupave të brendshëm të detyrueshëm në çdo shoqëri financiare, siç është bordi i revizionit të brendshëm, bordi i risqeve të huave, bordi i mbikëqyrjes dhe të ngjashëm. Po ashtu, përforcohen kontrollet gjatë hapjes së hapësirave të reja afariste, të cilat do të duhet të kërkojnë pëlqim paraprak nga Ministria e Financave, me kritere të përcaktuara për kushtet e punës.
Me ndryshimet, thonë nga Ministria e Financave, parashihet edhe rritja e kryegjësë (principalit) themelore të shoqërive financiare, si dhe heqja e pagesave me para të gatshme, me ç’rast mjetet kreditore do të duhet të paguhen vetëm përmes xhirollogarisë bankare. Qëllimi është gjurmimi i flukseve financiare dhe ulja e risqeve nga keqpërdorimi.
Ministrja e Financave Gordana Dimitreiska-Koçoska për “Telma” theksoi se ndryshimet vijnë si rezultat i kontrolleve të përforcuara dhe mospërputhja e identifikuar në punën e disa shoqërive financiare.
“Po përgatisim ndryshime ligjore që do të pasojnë në periudhën e ardhshme. Pas kontrolleve të kryera, konstatuam dobësi dhe paqartësi të caktuara në rregulloren ekzistuese, të cilat lënë hapësirë për interpretime dhe praktika të ndryshme. Prandaj, po ndërmarrim masa për përforcimin e kritereve dhe vendosjen e mbikëqyrjes më të madhe, duke përfshirë edhe bordet e detyrueshme të brendshme dhe kufizimin e pagesave në para të gatshme. Qëllimi është mbrojtja më e madhe e qytetarëve dhe funksionimi stabil i sektorit”, tha Ministrja./Telegrafi/





