
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, deklaroi se qëndrimi i tij personal dhe i partisë VLEN mbetet i pandryshuar sa i përket nevojës për ndryshime kushtetuese.
Në emisionin “Win-Win” në Televizioni Telma, Gashi tha se nuk ka ndryshim të qëndrimeve, por vazhdimësi politike lidhur me këtë çështje.
“Qëndrimi ynë si VLEN dhe qëndrimi im personal është i njëjtë, ne mendojmë se duhet të ketë ndryshime kushtetuese”, deklaroi Gashi.
Ai theksoi se, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, përfaqëson edhe qëndrimet shtetërore dhe të shumicës parlamentare.
Sipas tij, deputetët shqiptarë, pavarësisht nëse janë pjesë e pushtetit apo opozitës, kanë qëndrim të përbashkët për ndryshimet kushtetuese, ndërsa lidhur me qëndrimin e OBRM-PDUKM-së, tha se përfaqësuesit e kësaj partie shprehin shqetësime për identitetin, gjuhën dhe historinë.
“Ju si bashkëqytetarë nuk mund të shkoni kundër atyre ndjenjave të qytetarëve që kanë dhënë besimin më të madh në zgjedhje për një strukturë të caktuar politike”, u shpreh Gashi.
Duke folur për agjendën reformuese, kryeparlamentari tha se procesi zhvillohet përmes komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet Komisionit Evropian dhe institucioneve qeveritare.
Ai sqaroi se shumë prej ligjeve të agjendës reformuese përmbajnë komponentë ekspertësh, të cilët përgatiten nga ministritë dhe më pas dërgohen për shqyrtim në Bruksel.
“Pasi vjen sugjerimi nga Komisioni Evropian për një ministri të caktuar dhe për një zgjidhje ligjore, punohet mbi tekstin dhe më pas ai rikthehet në Bruksel, ku vijnë sërish sugjerime dhe vërejtje. Është një proces që zgjat”, deklaroi Gashi.
Ai shtoi se vendi ndodhet në një fazë ku duhet të tregojë më shumë rezultate konkrete në procesin reformues.
“Kjo përbërje parlamentare po dëshmon rezultate të dukshme, po tregojmë përparim”, tha mes tjerash kryetari i Kuvendit.
përcjell Zhurnal.mk .



