
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muamet Hoxha, sot mori pjesë në aksionin ekologjik “Fundjava e Pastrimit”, që tradicionalisht bashkon qytetarë, institucione dhe sektorin privat në një aksion të përbashkët për pastrimin dhe ngritjen e vetëdijes publike për mbrojtjen e mjedisit.
Në deklaratën e tij, ministri Hoxha theksoi se vazhdimësia e kësaj iniciative tregon se, kur ekziston vullnet i përbashkët, rezultatet janë të dukshme dhe konkrete.
“Ministria e Mjedisit Jetësor gjithmonë do t’i mbështesë iniciativat e këtilla, dhe në këtë mënyrë gjithë së bashku ndërtojmë vetëdijen se kujdesi për mjedisin duhet të bëhet shprehi e përditshme për të gjithë”, theksoi Hoxha.
Hoxha shtoi se paralelisht me aksione të tilla, Ministria është e fokusuar në zgjidhje sistemore, para së gjithash përmes vendosjes së Sistemit rajonal për menaxhim modern të mbeturinave, zbatimi i të cilit është në proces.
“Si ministër, obligimi im është ndërtimi i një sistemi i cili do të zgjidh në mënyrë efikase problemin e mbeturinave. Por, njëkohësisht, qëllimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një kulturë dhe një të ardhme të atillë, në të cilën ndoshta edhe të mos kemi nevojë për aksione të tilla”, theksoi ai.





