Ministria e Punëve të Brendshme ka zgjidhur rastin e tentativës së zjarrvënies të objektit fetarë të Bashkësisë Hebraike në Shkup më 12.04.2026 rreth orës 04:50, thuhet në njoftimin e MPB-së.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Sektori për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në koordinim me SPB-Shkup dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ASK), ndërmori masa dhe aktivitete përkatëse, me ç’rast në periudhën e kaluar u ndërmorën disa masa operative-taktike në zonën e qytetit të Shkupit.
Më 30.04.2026, Sektori për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit në bashkëpunim me SPB të Shkupit dhe DOSP-në, nën udhëheqjen e një prokurori publik kompetent nga Prokuroria Publike, pas urdhrave të marrë më parë për të kryer bastisje në një shtëpi dhe ambiente të tjera, u kryen bastisje në 13 lokacione në territorin e Shkupit, gjatë të cilave u ndaluan shtatë persona dhe u sekuestruan objekte dhe pajisje elektronike që lidhen me krimin.
Me urdhër të prokurorit publik, personat janë ndaluar për procedura të mëtejshme, pas së cilës Sektori për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ngriti kallëzim penal kundër A.L (21) nga Shkupi për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “terrorizëm” sipas nenit 394-b dhe A.R. (38) nga Shkupi për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “terrorizëm” sipas nenit 394-b të Kodit Penal në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal, ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar që ata të mbahen në paraburgim”.




