
Bashkimi Demokratik për Integrim ka përshëndetur zhvillimet e fundit lidhur me projektin e Korridorit 8, duke vlerësuar se ato konfirmojnë vazhdimësinë e një projekti strategjik që, sipas partisë, nuk mund të ndalet pavarësisht përpjekjeve politike për ta zvarritur apo ridimensionuar. Në një reagim publik, BDI thekson se zhvillimet e fundit tregojnë se projekti vazhdon të ecë sipas konceptit të projektuar në periudhën kur kjo parti ishte pjesë e Qeverisë, duke hedhur poshtë, siç thuhet, përpjekjet për të dobësuar lidhjen e korridorit me Shqipërinë.
Nga BDI vlerësojnë se shtyrja e vizitës së delegacionit të UNESCO nuk e vë në dyshim realizimin e projektit, por përkundrazi dëshmon seriozitetin me të cilin po trajtohet ai.
Sipas partisë, kjo konfirmon nevojën që realizimi të bëhet mbi bazën e projektimit fillestar dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në reagim përmendet edhe ndryshimi i toneve nga ana e institucioneve qeveritare, duke theksuar se vetë ministri i Transportit tashmë nuk e vë më në diskutim ndërtimin e korridorit, por vetëm përzgjedhjen e trasesë më të përshtatshme. Sipas BDI-së, kjo paraqet tërheqje nga qëndrimet e mëhershme dhe pranim se projekti është i pashmangshëm.
BDI rikujton se Korridori 8 ka rëndësi strategjike për vendin dhe rajonin, duke lidhur lindjen me perëndimin, duke forcuar integrimin ekonomik dhe duke rritur lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në reagim përmendet edhe mbështetja e Bashkimit Evropian dhe angazhimet nga Deklarata e Tiranës si dëshmi se ky projekt mbetet prioritet rajonal dhe evropian. Sipas partisë, korridori nuk ka vetëm dimension ekonomik, por edhe rëndësi të veçantë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për zhvillimin afatgjatë të qëndrueshëm.
BDI shpreh përkushtimin që projekti të realizohet i plotë dhe në funksion të interesit publik, duke theksuar se çdo përpjekje për ta penguar apo vonuar është e kotë, pasi, sipas tyre, Korridori 8 tashmë është “një realitet në ndërtim dhe një domosdoshmëri për të ardhmen evropiane të vendit”.





