Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së 152-të të Inter-Parliamentary Union (IPU), që po mbahet në Antalya, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe forcimin e demokracisë.
Në fjalimin e tij në kuadër të debatit me temën “Ushqimi i shpresës, sigurimi i paqes dhe garantimi i drejtësisë për brezat e ardhshëm”, Gashi vlerësoi se bota po përballet me sfida serioze për rendin global dhe se përballja me to kërkon angazhim të përbashkët dhe vendime të guximshme nga institucionet demokratike.
“Në një kohë sfiduese për rendin global, demokracia, paqja dhe drejtësia për brezat e ardhshëm kërkojnë angazhim të përbashkët dhe veprim të guximshëm,” theksoi Gashi gjatë fjalimit të tij.
Ai nënvizoi se përvoja e Maqedonisë së Veriut tregon se dialogu dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten instrumente kyçe për tejkalimin e krizave dhe ndërtimin e stabilitetit afatgjatë.
Kryeparlamentari gjithashtu riafirmoi përkushtimin e Kuvendit për të qenë një institucion gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Në fund, Gashi bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, sidomos në përballjen me sfidat e reja globale, si transformimi digjital dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke theksuar se parlamentet duhet të jenë aktive në formësimin e politikave që do të ndikojnë në të ardhmen e shoqërive.



