
Ministria e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski po qëndron për vizitë pune në Uashington, në kuadër të sesionit të dytë të Dialogut Strategjik Maqedoni e Veriut–SHBA, një proces i vlerësuar si jashtëzakonisht i rëndësishëm për avancimin e sigurisë kombëtare dhe publike.
Gjatë vizitës, Toshkovski zhvilloi disa takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të sigurisë amerikane, mes të cilëve me Nikollas Kolura, zëvendësndihmës sekretar i shtetit dhe drejtor i Diplomatic Security Service (DSS), me Kristoder G. Raja, zëvendësdrejtor i FBI-së, me Gregori Dukot, drejtor i ICITAP, si dhe me Dejvid M. Berard, zëvendësndihmës sekretari i shtetit nga Byroja për narkotikët ndërkombëtarë dhe zbatimin e ligjit.
Në takim, siç njoftoi MPB-ja, u konstatua se Maqedonia e Veriut është e njohur si një partner i besueshëm operacional i sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilin bashkëpunimi po thellohet në fusha konkrete me interes të përbashkët.
“Këto takime dërgojnë një mesazh të qartë se Maqedonia e Veriut është e njohur si një partner i besueshëm i SHBA-së, me të cilin po ndërtohet një bashkëpunim i thelluar dhe konkret në fushat kyçe të sigurisë”, theksoi ministri Toshkovski.
Fokusi i bisedimeve ishte vendosur në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, tregtisë së paligjshme të drogës, krimit të organizuar transnacional, forcimit të sigurisë kufitare, si dhe përballjen me terrorizmin.
Veçanërisht u theksua mbështetja e vazhdueshme përmes programit ICITAP për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sidomos në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale, trajnimeve dhe modernizimit, përfshirë edhe përmirësimin e punës së akademisë policore.
“Mbështetja nga partnerët tanë amerikanë, veçanërisht përmes ICITAP, ka një rol kyç në modernizimin e policisë dhe forcimin e kapaciteteve tona për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë”, theksoi Toshkovski.
Vizita, siç theksohet në njoftim, edhe një herë konfirmon përcaktimin strategjik për thellimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për përballimin e përbashkët të sfidave të sigurisë, ndërsa në periudhën e ardhshme pritet intensifikim dhe forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit në të gjitha fushat kyçe.





