
Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot deklaroi se nuk do të lejoj tensione etnike në vend dhe theksoi se korridoret 8 dhe 10d janë prioritet, po jo me çdo çmim.
Mickoski tha se Struga do të lidhet me korridorin 8 dhe askush nuk do të përjashtohet nga ky projekt.
“Qytetarët e Strugës duhet të qetësohen, sepse kjo qeveri është qeveri e gjithë qytetarëve dhe askush nuk do të harrohet. Përfshirë edhe qytetarët e Kërçovës, Vevçanit, Ohrit dhe të gjithë komunat që lidhen me korridoret 8 dhe 10d. Askush nuk do të harrohet”, tha Mickoski.
Kryeministri sqaroi se ndryshimet në trase janë bërë për shkak të kufizimeve në zonat e mbrojtura nga UNESCO, duke theksuar se qeveria do t’i respektojë standardet ndërkombëtare dhe nuk do të ndjekë politika selektive. Ai paralajmëroi se gjatë muajit korrik pritet një qëndrim përfundimtar lidhur me vlerësimin e UNESCO-s për projektin.
“Nëse ajo trajektore mbetet kontestuese, do të shqyrtojmë alternativa të tjera, por qytetarët nuk do të mbeten pa lidhje me autostradën”, u shpreh Mickoski.
Në fund, ai ngriti edhe çështjen e infrastrukturës në anën shqiptare, duke deklaruar se autostrada në Shqipëri nuk është planifikuar të arrijë deri në Qafë Thanë, por do të ndalet disa kilometra para.
“Është mirë që atë pyetje tua bëjnë edhe politikanëve shqiptarë të Shqipërisë, sepse atje autostrada nuk do të jetë deri në Qaf Thanë, nuk do të jetë as rrugë eksprese, por do të jetë deri në 20-25 kilometra para Qaf Thanës, kjo është pyetja e vërtetë. Duhet ti tregojmë punët ashtu siç janë”, theksoi kryeministri Hristijan Micksoski
Mickoski tha se nuk do të lejojë polarizime etnike, duke akuzuar partitë etnike.
“Nuk do të komentojë përpjekjet për polarizime etnike. Derisa unë jam kryeministër, nuk do të lejojë diçka të tillë në shtet”, shtoi Mickoski.
Lidhur me ekonominë, Mickoski tha se projektet infrastrukturore është shumë e rëndësishme për rritjen ekonomike./Telegrafi/







