
Përmes mesazhit “Gjuha shqipe thërret – zëri yt është fuqia jonë”, studentët shqiptarë paralajmërojnë protesta për provimin shqip të jurisprudencës, duke e konsideruar si të drejtë legjitime dhe kushtetuese.
“Që nga vera 2024 jemi duke pritur epilog në lidhje me kërkesën tonë, përveç zvarritjes së kërkesës sonë nuk pamë gjë tjetër. Gjuha shqipe dhe e drejta jonë nuk mund të mbahen peng nga vullneti dhe interpretimi i ministrave, prandaj ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë në protestën tonë me datë 6 prill (e hënë) në ora 12:30 para Urës së Gurit, aty ku fillon kultura jonë tek Çarshia jonë në Shkup dhe do të marshojmë andej Urës së Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë!”, theksoi njëri ndër nismëtarët e kësaj çështjeje Mevlan Ademi.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime politike të rreshtohen me studentët dhe ti përkrahin ato në të drejtën e tyre legjitime dhe kushtetuese që provimin e jurisprudencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.
Ndryshe, ditët e fundit studentët shqiptarë në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar dhe Kërçovë kanë nisur aksion simbolik duke vendosur afishe në vende të ndryshme të qyteteve, përmes të cilave kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Në afishet e vendosura, mesazhi është i qartë: “Shqip kemi mësuar – provimin shqip do japim”, duke shprehur pakënaqësinë dhe kërkesën për respektimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare.
Përmes mesazhit “Gjuha shqipe thërret – zëri yt është fuqia jonë”, ata kërkojnë të drejtën për ta zhvilluar provimin në gjuhën amtare. Kjo nismë vjen si reagim ndaj refuzimit për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe, duke nxitur pakënaqësi dhe mobilizim më të gjerë mes studentëve.





