
Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (RDM) po ndjek me shqetësim të dhënat e publikuara nga Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit në vitin 2025, sipas të cilave Maqedonia renditet e 84-ta nga 180 vende. Me rezultate pothuajse identike me vitin e kaluar, ky raport tregon se nuk ka përparim të konsiderueshëm në trajtimin e këtij problemi dekadash të vjetër në vendin tonë.
“Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë sistemike për shoqërinë tonë që minon sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe besimin e qytetarëve në institucione”, thonë nga atje
Nga RDM thonë se ngecja në reforma, zbatimi i pamjaftueshëm i ligjeve, llogaridhënia e dobët e zyrtarëve dhe sidomos procedura jo mjaftueshëm transparente për ndryshimin e Kodit Penal e lënë vendin tonë të mbërthyer në rezultate sipërfaqësore, pavarësisht faktit se transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë themeli i një shteti modern demokratik.
RDM vlerëson se pa reforma thelbësore, transparencë dhe llogaridhënie, Maqedonia rrezikon të thellojë më tej mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe shtetit në përgjithësi, veçanërisht tek të rinjtë që tashmë po largohen masivisht nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës./Telegrafi/




