
Mbrëmë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një takim me banorët e Haraçinës, në fjalim e tij përmendi mesazhe të qarta për barazi, partneritet, dhe mbrojtje të themeleve të shtetit multietnik.
Ahmeti tha se qeveria aktuale po tenton ta kthejë vendin prapa.
“Ne nuk e marrim shtetin– ne e drejtojmë atë që na takon! Shqiptarët janë mbi 30%, jetojnë në kontinuitet në trojet e veta dhe janë pjesë e pandashme e shtetformësisë!”, deklaroi Ahmeti, duke përgënjeshtruar diskursin e frikës se shqiptarët po “e marrin shtetin”.
Ahmeti kërkoi sqarime nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski për politikat që rrezikojnë themelet e bashkëjetesës dhe paqes.
“Nga ky takim në Haraçinë, i bëj thirrje Kristian Mickoskit të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të shpjegojë:
Pse po e ndryshon Ligjin e Gjuhës?
Pse po e ndryshon Marrëveshjen e Ohrit?
Pse po e rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit?”
Duke folur për përpjekjet për të përçarë shqiptarët dhe për t’i zëvendësuar me “shqiptarët e ndershëm”, Ahmeti paralajmëroi për rikthim të ideologjive të rrezikshme:
“A e dini kush përdorte filozofinë e ‘shqiptarëve të ndershëm’? Millosheviçi! Dhe kushdo që sot promovon këtë ide, po e ringjall një logjikë që shqiptarët e kanë mundur me gjak e sakrificë.
Na kanë mbajtur të shtypur, të frikësuar e të dëbuar – por kjo përfundoi me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.
Sot, shqiptarët kanë tre universitete dhe mijëra kuadro profesionale.
Asnjë forcë nuk mund ta ndalë këtë realitet!
Ky shtet nuk mund të drejtohet më nga një palë e vetme. Nuk është në interesin e askujt që të rrezikohet bashkëjetesa. Kush i shërben të keqes, nuk mund të ketë partneritet me ne!”
Ahmeti bëri thirrje për paqe, për Evropë të bashkuar dhe për lëvizje të lirë.
Ahmeti: Shqiptarët janë shtetformues, Mickoski po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e shtetit appeared first on Telegrafi.