
Elvis Shakmbi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në një letër nga burgu ka shprehur keqardhjen për dhimbjen e shkaktuar.
Ai gjithashtu i ka dërguar ngushëllimet familjes Kalaja, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit.
Shakmbi thekson se ngjarja e asaj dite ishte një reagim i palogjikshëm ndaj një vendimi që, sipas tij, ishte po aq i palogjikshëm.
“Do e them dhe do e përsëris sa të kem frymë, vendimi ishte më shumë se skandaloz. Me vendimin paraardhës, i cili u la në fuqi në datë 6.10.2025 është synuar grabitja e titullit ekzekutiv, pra pavlefshmëria e tij, një gjë e cila nuk mund të lëshohet në asnjë situatë nga personi i tretë, siç ishte rasti i kundërshtarëve tanë në gjyq. Nëse vendimi i gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Shkodër ishte një produkt edhe i paditurisë, vendimi i datës 6.10.2025 për ta lënë në fuqi nuk ishte nga padituria, por i ndikuar nga faktorë të tjerë.
Prej 13 vitesh, xhaxhai im, Gjon Shkambi ishte kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor në Shqipëri, në një kohë kur unë mundohesha t’i jepja fund këtij eksperimenti, gjykata e apelit e juridiksionit të përgjithshëm tiranë vendosi vazhdimin e atij eksperimenti.
Ai vendim gjykate bie haptazi ndesh me kodin civil të republikës së Shqipërisë, kodin e procedurës civile, vendimet unifikuese të kolegjeve të bashkuara të gjykatës së lartë dhe të kolegjit civile, vendimet e gjykatës europiane për të drejtat e njeriut dhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, shkruan Shkambi.
Ai e mbyll letrën duke thënë se ai dhe shteti do i japin llogari njëri-tjetrit për padrejtësitë që kanë shkaktuar.
“Unë kam shumë për të treguar dhe do t’i tregoj kur të jetë momenti. Unë dhe shteti shqiptar e njohim mirë njëri-tjetrin. Jam besimplotë që do i japim llogari njëri-tjetrit për dëmët dhe padrejtësitë që i kemi bërë.
Zoti i bekoftë dhe i mbroftë të gjithë qytetarët e ndershëm të Rëpublikës së Shqipërisë”, përfundon letrën Shkambi.
/vizionplus.tv










