Policia e Tiranës ka arrestuar një 27-vjeçar Oltion Çeça dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij Ajet Doku, pasi kanë vënë lëndë plasëse në banesën e shtetasit E. A.
Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit “London” u proceduan penalisht edhe dy persona të tjerë, pasi në banesën e tyre u gjetën sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshje që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, një automjet dhe 5 celuarë.
“Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale e Kërkimin dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” finalizuan operacionin e koduar “London”.
U vu në pranga shtetasi O. Ç., 27 vjeç, dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit A. D., 27 vjeç, të cilët dyshohet se kanë vënë lëndë plasëse në banesën e shtetasit E. A.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit P. S., banues në Fushë Krujë, dhe A. C., banues në Fushë-Prezë.
Policia, në kontrollet e banesave të këtyre të fundit, gjeti sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshje që autorët e dyshuar kanë përdorur gjatë ngjarjes, një automjet dhe 5 celuarë”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë./vizionplus.tv