
Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Casus”, duke vënë në pranga një 31-vjeçar që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Roskovecit.
Sipas njoftimit zyrtar, pas menaxhimit të menjëhershëm të informacioneve operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin J. Ç., 31 vjeç, banues në Roskovec.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale: 3.6 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje; 1 peshore elektronike që përdorej për ndarjen e drogës; një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike; 2 telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme ligjore.
Policia e Fierit thekson se operacione të tilla do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
/vizionplus.tv








