Me 25 njësi të certifikuara dhe 31 të tjera në proces, agroturizmi në Shqipëri, sipas Ministrisë së Bujqësisë, vetëm sa ka hedhur themelet dhe tashmë është sfidë për ta konsoliduar atë më tej. Kjo do të bëhet duke lehtësuar kriteret për një agroturizëm. Numri i dhomave, që aktualisht është 6-30 dhoma parashikohet të bëhet 6-30 shtretër. Kriteri për numrin e tavolinave në restorant, 23 aktualisht, do të shndërrohet në kriter për numrin e karrigeve. Po ashtu, gratë dhe të rinjtë do të nxiten për të investuar në agroturizëm duke hequr taksat për blerjen e tokave prej tyre.
ENIO CIVICI – ZV.MINISTER I BUJQESISE
“Të lehtësojmë kushtet me të cilat t’i certifikohesh si agroturizëm dhe përfiton lehtësi fiskale si TVSH e reduktuar 6%, tatimi mbi fitim 5% dhe përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Kriteri për një numër më të ulët dhomash do ta lehtësojë këtë. Kemi edhe kriterin për një hektar tokë të punuar, që mund të jetë serë, tokë e hapur”, shprehet zv/ministri i Bujqësisë, Eno Civici.
Me anë të këtyre ndryshimeve, ende në konsultim publik, Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Turizmit synojnë që të zhvillojnë zonat rurale dhe të trajtojnë fenomenin e largimit të të rinjve.
“Ne aktualisht kemi një shifër të grave të punësuara në agroturizëm në 40%, duam të arrijmë në rreth 55% në 2025 dhe mbi 60% në 2027. Njësoj për të rinjtë, ata sot përfaqësojnë më pak se 35%, në 2025 duam të shkojmë në 50% dhe në 2027 në 60%. Do të merremi edhe me pronësinë e agroturizmit, duke shtyrë të rinjtë dhe gratë në këtë drejtim. Më pak se 30% në rastin e grave dhe më pak se 10% në rastin e të rinjve. Duam të arrijmë në mbi 50% në rastin e grave dhe në mbi 40% në rastin e të rinjve”, thotë Civici.
Por ekspertët e shohin të paplotë këtë strategji zhvillimi, duke shprehur skepticizëm edhe për lehtësimin e kritereve, çka sipas tyre, do të ulte standardin e agroturizmit.
“Kërkohet një analizë e mirëfilltë e të gjithë sektorëve sepse kjo nuk lidhet vetëm me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Turizmit, por edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Pushtetit Vendor. Unë do ta shikoja me pak sekticipzëm sepse nuk na ka sjellë në total materialin që duhet ta gjykojmë. Kriteret janë shumë mirë të përshkruara. Nuk mund të them nëse ka nevojë për të hequr ndonjë pikë. Nuk kanë nevojë për lehtësim, prandaj është titulli agroturistik sepse është një investim brenda në fermë ku ofrohet bujtina, restorante, por procesi për miratimin e lejes ka nevojë për tu riparë”, shprehet Ilir Pilku, ekspert për bujqësinë
Synimi i dy ministrive është që deri në vitin 2027 Shqipëria të ketë 100 agroturizme të certifikuara. /vizionplus.tv