
Kulla e Turanit është një objekt historik tradicional, i vendosur vetëm pak kilometra larg qytetit të Korçës.
E ndërtuar në shekullin e XIX-të, ajo ka shërbyer si kullë mbrojtëse dhe banimi, duke përfaqësuar tipologjinë karakteristike të kullave fushore të juglindjes së Shqipërisë.
Sipas kryeplakut të fshatit, Ilir Skënderasi, prej vitesh kulla ka pësuar dëmtime të shumta, por reshjet e dendura të kohëve të fundit kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e saj.
Për këtë arsye, banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve.
Shembja e mundshme e kullës nuk përbën rrezik vetëm për banorët e dy familjeve që jetojnë pranë saj, por sipas kryeplakut, po ndikon edhe në largimin e turistëve të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për ta vizituar.
Nga ana e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës bëhet me dije se ekziston një projekt për restaurimin e Kullës së Turanit, monument kulture i kategorisë së parë, por pa dhënë një afat konkret se kur mund të nisë ndërhyrja në terren.
/vizionplus.tv









