
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Livadhet”, i zhvilluar për kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Si rezultat i operacionit, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi Seid Curraj, 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi B. B., 39 vjeç, gjithashtu banues në këtë qytet.
Operacioni u realizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bazuar në informacione të siguruara për vendndodhjen e një personi në kërkim.
Sipas Policisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin e shpallur në kërkim, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë një kontrolli të ushtruar më 29 prill 2025, në zonën e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, si dhe një automjet tip “Toyota Hilux”, pa targa, i fshehur rreth 100 metra larg vendit të kontrollit. Nga verifikimet rezultoi se automjeti ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit B. B., si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv









