
Një ngjarje e rëndë u regjistrua pak pas mesnate në Manëz (22 tetor), pranë një karburanti.
Sipas burimeve policore, pas një konflikti që dyshohet për motive të dobta, janë vrarë me armë zjarri Flori Paluçi, 33 vjeç, dhe Arianit Kurti, 23 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se Flori Paluçi është vrarë nga Daniel Pepa, 21 vjeç, ndërsa Arianit Kurti dyshohet se është vrarë nga vetë Paluçi, gjatë përplasjes së armatosur.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Daniel Pepa së bashku me Arianit Kurtin kanë shkuar në lokal dhe Danieli i ka kërkuar kamarierit të lokalit që t’i bënte një kafe.
Kamarieri i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund të bënte kafe.
Më pas, sipas informacioneve Danieli i ka kërkuar që ta ndezë ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të kamarierit.
Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që t’i nuk mund ta fyesh pasi kamarieri është ulur në tavolinë me mua.
Pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre dhe kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas dinamikës paraprake i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin, dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin./vizionplus.tv









