Pas shkarkimit të Jorgo Goros dhe me Fredi Belerin në burg, Bashkia e Himarës aktualisht ka mbetur pa drejtues. Por sipas mediave greke, kryeminsitri Edi Rama, njëherësh kreu i PS, ka gjetur një zgjidhje alternative deri në momentin që gjykata të japë vendimin final për Belerin.
Gazeta greke “Kathimerini” raporton se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë ditëve të fundit të 2023-it ka zhvilluar një bisedë me ish-deputetin e LSI-së Vangjel Tavo, ku i ka kërkuar këtij të fundit që të drejtojë Bashkinë e Himarës për një periudhë 6 mujore.
Sipas kësaj gazetete Rama i ka telefonuar dy herë Tavos, dhe ata janë takuar pak ditë para fundit të vitit në një kafe në Tiranë. Mediat helene raportojnë se Rama ka parë Tavon si zgjidhje për të zbutur marrdhëniet me Athinën zyrtare pas përplasjeve që patën për “çështjen” Beleri.
“Kathimerini” shkruan se Rama i ka kërkuar Tavos që të drejtojë Bashkinë e Himarës për një periudhë 6 mujore, deri sa Gjykata të japë vendimin për Belerin, nëse ai shpallet i pafajshëm do të jetë ai që do të marrë drejtimin e bashkisë pas betimit, nëse dënohet atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Po sipas “Kathimerinit” theksohet se Vangjel Tavo është treguar i gatshëm që të drejtojë Bashkinë e Himarës por me kushtin e vetëm që të dakordësohet edhe nga pala greke.
Më herët ishte pikërisht gazeta greke “Kathimerini”, e cila raportoi se përveç Vangjel Tavos, kryeministri Edi Rama kishte dhe dy alternativa të tjera si Ilir Paço dhe Theodhori Çami.
/Vizionplus.tv/