
Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, e cila ishte parashikuar që të mblidhej sot për Belinda Ballukut është shtyrë.
Me urdhër të kreut të Kuvendit Niko Peleshi, mbledhja do të zhvillohet nesër, në orën 12:00.
“Të nderuar anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit! Ju njoftojmë me Urdhër të Kryetarit nr. 8, datë 27.01.2026 shtyrjen e mbledhjes që do të zhvillohej sot, datë 28.01.2026, ora 12:00”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese doli pa vendim për çështjen “Balluku”, me argumentin se u duhej më shumë kohë.
Kryeministri Edi Rama kërkon rrëzimin e vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut. Në seancën e 22 janarit, qeveria kërkoi shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me argumentet se pushteti gjyqësor kishte ndërhyrë në ekzekutiv, dhe pezullimi në këtë rast ishte de fakto shkarkim, duke penguar edhe veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Si palë të interesuara në këtë seancë morën pjesë Kuvendi dhe Presidenca.
Gjykata e Posaçme e cila dha vendimin nuk mori pjesë në senacë, ndërsa SPAK mbrojti vendimin, me dy prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, sipas të cilëve masa ndaj zv.kryeministres është personale dhe qëndrimi i saj në detyrë është i rrezikshëm.
Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes./vizionplus.tv









