Një supermodele e re, shumë e bukur, bionde, me një fustan të gjatë me vija dhe kominoshe me lule shfaqet në kopertinën e gushtit të Vogue… por ajo s’është e vërtetë. Në një cep të vogël, shkruhet se ajo është krijuar përmes Inteligjencës Artificiale.
Vogue thotë se modelja me IA nuk ishte vendim editorial, por është hera e parë që një njeri i krijuar nga IA shfaqet në kopertinë.
Kopertina po merr kritika dhe pyetje se çfarë do të thotë kjo për modelet e vërteta që kanë luftuar për diversitet dhe për konsumatorët, sidomos të rinjtë, që përballen me standardet e pavërteta të kompanisë.
Pas reklamës së Guess, gjendet kompania Seraphinne Vallora. Themelueset e saj, Valentina Gonzalez dhe Andreea Petrescu, shprehen për BBC se bashkëthemeluesi i Guess, Paul Marciano, i kontaktoi përmes Instagramit dhe u kërkoi të krijonin një modele me IA për fushatën e verës.
“Ne krijuam 10 modele paraprake për të dhe ai zgjodhi një grua brune dhe një bionde që ne i zhvilluam më tej”, thotë Gonzalez. Ajo shpjegon se procesi nuk është i lehtë. Kompania ka pesë punonjës që krijojnë modele me IA dhe mund të duhet rreth një muaj nga ideja te produkti i përfunduar. Çmimi varion nga i ulët deri në gjashtë shifra për klientë si Guess.
Ndërkohë, për modelen “plus-size”, Felicity Hayward, që ka rreth një dekadë në inudustri, këto janë hapa pas. Bota e modës nisi të përparonte kur në 2010, Valentina Sampaio ishte modelja e parë transgjinore në pasarelën e Victoria’s Secret, Halima Abden, modelja e parë me shami në fushatat ndërkombëtare kurse Savage x Fenty u përfaqësua nga modelet “plus-size”.
Sipas Gonzalez dhe Petrescu, ato nuk rivendosin standarde bukurie. “Ne nuk krijojmë paraqitje të paarritshme, në fakt modelja me IA për Guess duket shumë e vërtetë”, thotë Petrescu. “Në fund, të gjitha reklamat krijohen që të duken të përsosura dhe zakonisht përfshihen supermodelet, kështu që ajo që po bëjmë nuk ndryshon.”
Ato pranojnë se imazhet në faqen e Instagramit të kompanisë së tyre nuk kanë larmishmëri dhe promovojnë standarde jo reale bukurie. Vajzat shprehen se janë përpjekur të bëhen më gjithëpërfshirëse, por janë përdoruesit ata që nuk angazhohen në këto postime.
Shqetësimi për standardet e bukurisë dhe efektet e dëmshme të tyre nuk janë diçka e re. Por, ndryshe nga editimi i zakonshëm që i bëhet një personi që ekziston, modelet me IA janë të krijuara për t’u dukur të përsosura, pa të meta njerëzore apo veçanti.
Veç kësaj, si do të ndikojë kjo teknologji në industri? Sara Ziff, ish-modele dhe themeluese e Model Alliance, thotë se fushata e Guess “është më pak rreth risisë dhe më shumë rreth dëshpërimit dhe nevojës për të shkurtuar shpenzimet.” Ajo mendon se IA në modë nuk është shfrytëzuese, por mund të jetë e tillë në kurriz të disa njerëzve sepse ka më shumë staf që merr pjesë në një set fotografik sesa thjesht modelja dhe fotografi.
Gonzalez dhe Petrescu janë të bindura se kanë krijuar vende pune me kompaninë e tyre dhe procesi i të krijuar modele me IA përfshin marrjen e një modeleje dhe fotografi të vërtetë për të parë si duket produkti realisht.
Por vetë faqja e tyre në internet shkruan se ndër përfitimet e bashkëpunimit me to është kostoja sepse “eliminon nevojën për sete të shtrenjta, grimierë, skenografi, fotografë, udhëtime dhe modele.”
Pra, si do të jetë e ardhmja e industrisë së modës?
E bukur dhe e pavërtetë, supermodelja me IA e Guess në kopertinën e Vogue ‘përçan’ opinionin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.