
Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, kanë deklaruar nga VLEN.
Provimi i jurisprudencës në shqip është vetëm fillimi. Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe, kanë deklaruar nga VLEN.
Nga kjo parti theksojnë se shqiptarët nuk duan më zhurmë. Duan zgjidhje, e zgjidhja po vjen. Njëherti nga VLEN kanë akuzuar BDI-në se ministrat e saj nuk e zgjidhën këtë çështje.
“BDI-ja mendon se turpi mbulohet me zhurmë. Por provimi i jurisprudencës nuk zgjidhet me britma e me rrena. Zgjidhet me punë. E punën ata e kishin në dorë për vite me radhë, por nuk e bënë. Ministria e Drejtësisë kaloi prej një kuadri të BDI-së te tjetri. Pas Blerim Bexhetit, me mbi 1000 ditë ministër, erdhi Adnan Jashari. Mandat kishte, kompetenca kishte, vulë kishte. Vetëm vullnet për studentët shqiptarë nuk kishte. Ky ka qenë zanati i BDI-së. Shqiptarëve pritje, të vetëve përparësi. Për studentët “do ta shohim”, por kur ishte puna për rrethin e tyre, sistemi ndizte motorët menjëherë. Pikërisht në kohën e Adnan Jasharit, djali i Talat Xhaferit u pajis me provimin e jurisprudencës, edhe pse ishte ende i padiplomuar. Pra, për studentët shqiptarë nuk kishte zgjidhje në gjuhën shqipe, ndërsa për djalin e funksionarit të BDI-së sistemi funksiononte. Për të vetët e gjenin çaren, ndërsa hallin e shqiptarëve e linin zvarrë. Prandaj Adnan Jashari duhet të përgjigjet pse nuk e zgjidhi provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe kur ishte ministër i Drejtësisë.”, theksojnë nga VLEN, duke shtuar se derisa studentët kanë hall, BDI ka hesapet e saja.



