
Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit, pasi ky i fundit tha se nuk është humbës ndaj nuk jep dorëheqje.
“Pas pesë ditësh, Ali Ahmetit më në fund ia treguan përgjigjen e “referendumit”. Dhe ja, doli e tha se paskan fituar në zgjedhjet komunale. Kjo është absurde. Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë shumë më të mëdha se “fitorja” në Pllasnicë dhe Likovë”, thonë nga VLEN.
Sipas VLEN-it për 20 vjet politika e Ali Ahmetit është ndërtuar në dy shtylla duke përmendur dy herë pushtetin.
”Ne menduam se Ali Ahmeti dhe BDI janë vetëdijësuar nga përgjigja e “referendumit”, mirëpo ata vazhdojnë zgjedhjet lokale t’i përjetojnë si parlamentare, sepse për ta postet ministrore janë vegla e vetme për të mbijetuar në politikë.Për 20 vjet, politika e Ali Ahmetit është ndërtuar mbi dy shtylla: pushtet dhe… pushtet. Sa për “vetingun” që kërkon sot, atë ia ka bërë hija e tij Artan non grata Grubi, për të cilin vazhdon të thotë se është “i pastër si loti”.Prandaj, para se të kërkojë zgjedhje të parakohshme, Ali Ahmeti le ta pyesë veten: A do të mund të përballet me votën e lirë të shqiptarëve që nuk i frikësohen më? Sepse koha e Gazimestanit ka mbaruar. VLEN është e sotmja. BDI është e djeshmja”, thotë VLEN.



