
VLEN sot paralajmëron formimin e një trupi koordinues e cila do të ketë përqëllim monitorimin, raportimin dhe përgjegjësitë lidhur me Ligjin e ri për përfaqësim adekuat.
“Për herë të parë në histori, kjo e drejtë nuk mbetet vetëm parim i shkruar apo premtim politik, por bëhet e garantuar, e mbrojtur dhe e detyrueshme për institucionet. Deri tani, shumëçka varej nga vullneti i dikujt, nga disponimi i një ministri apo nga pazaret politike. Me këtë ligj, kjo merr fund.
Që ligji të mos mbetet vetëm në letër, do të ketë Trup koordinativ, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë. Aty do të raportojnë të gjitha institucionet, pa përjashtim. Nuk do të ketë më arsyetime, por monitorim, raportim dhe përgjegjësi.
Brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit do të sillet metodologjia që do ta rregullojë në praktikë përfaqësimin e drejtë, planet vjetore të punësimit dhe konkurset. Ajo do të bazohet në regjistrimin e fundit të popullsisë, që përfaqësimi të ndjekë realitetin demografik.
Një risi e rëndësishme dhe historike është se ligji nuk vlen vetëm për punësimet, por edhe për avancimet në punë. Nuk mjafton që dikush të punësohet në administratë e pastaj të mbetet me vite në të njëjtin nivel. Me këtë ligj hapet rrugë për avancim dhe pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrje.
Ligji e zgjidh edhe problemin e keqpërdorimeve që i pamë me balancuesin. Vetëdeklarimi nuk mund të jetë mbulesë për mashtrim dhe askush nuk mund të luajë me identitetin për një konkurs. Vërtetimi do të bëhet mbi bazë të të dhënave zyrtare, përfshirë edhe letërnjoftimin.
Përgjegjësia e vërtetë është politike. Nëse një funksionar nuk e respekton ligjin, atëherë do të shkarkohet. Qytetarët nuk duhet të paguajnë nga buxheti për papërgjegjësinë e askujt.
Kjo është fitore për shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë etnike, avancim i Marrëveshjes së Ohrit dhe hap i madh drejt një shteti më të drejtë.Ajo që nuk u bë për 25 vite, VLEN po e bën për 25 muaj”, thonë nga VLEN./Telegrafi/





