Nga koalicioni VLEN sot përmes një kumtese thonë se kanë kaluar 20 ditë nga pranimi skandaloz i fajit dhe marrëveshjes mes anëtarit të këshillit të prokurorëve publik, Ixhet Mehmeti dhe Islam Abazit, të dy pionerë të BDI-së.
“Kaluan 15 ditë që kur pyetëm se ku është Drin Ahmeti dhe a është e vërtetë se është dërguar jashtë shtetit. Kaluan tre ditë që kur bëmë të ditur se kryetari i degës së Selës në Bogovinë është arrestuar për përfitim nga kumari i jashtëligjshëm përmes internetit.
Nga të gjitha anët po vijnë informacione dhe dëshmi për skandalet nga institucione të ndryshme që lidhen me kuadrot e Qeverisë së kaluar. Ata janë sillur sikur buxheti i shtetit të ishte një arkë private për të kënaqur epshet e tyre.
Ahmeti dhe Sela vazhdojnë të heshtin dhe në vend se të kërkojnë falje, ata paralajmërojnë vizita në degët e tyre. Si duket do të inkurajojnë anëtarësinë e tyre me një dozë të re gënjeshtrash se shumë shpejt do të kthehen në pushtet.
Verbëria e tyre politike vazhdon, me të cilën përpiqen me këmbëngulje t’i bëjnë shqiptarët mburojë për korrupsionin politik të tyre që duan të gëzojnë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme. Kjo kryesi e BDI-së është ende e mbërthyer në të kaluarën e 15 viteve më parë kur shqiptarët ende besonin se po luftonin vërtet për të drejtat e tyre”, thonë nga VLEN.
Nga atje theksojnë se koha e këtyre iluzioneve ka përfunduar që moti. Këtu do të fillojë të zgjidhet lëmshi që do të zbulojë fytyrat e vërteta të pasanikëve politikë të cilët e kishin si qëllim të vetëm grabitjen e pamëshirshme të resurseve të popullit.
“Pasi Ahmeti dhe Sela vazhdojnë të injorojnë mesazhin e votuesve shqiptarë të 8 majit, ata do të marrin një mesazh edhe më të fortë dhe më të qartë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm”, shtojnë nga VLEN./Telegrafi/
VLEN: Ahmeti dhe Sela heshtin për rastet korruptive të kuadrove të tyre appeared first on Telegrafi.