
Kërkesa e studentëve shqiptar për të dhënë provimin e jurispodencës në gjuhën shqipe po zvarritet vlerëson eksperti juridik Osman Kadriu.
Ai vlerësojnë se pengesa nuk është juridike, por politike, pasi sipas Kadriut nuk ekziston asnjë kontest ligjor që e pengon realizimin e kësaj të drejte.
Sipas tij, kërkimi i mendimit nga Komisioni i Venecias është vetëm një mënyrës për ta shtyrë procesin dhe për ta mbajtur pezull zgjidhjen.
“I dëgjojmë deklaratat politike se për çdo intervenim duhet të kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias. Komisioni i Venecias nuk ka kompetencë për këto çështje. Këto janë çështje aq të thjeshta, të kuptueshme dhe të qarta, saqë nuk ka nevojë të prononcohet Komisioni i Venecias, aq më tepër kur para këtij komisioni ka qenë edhe Ligji për gjuhët. Është nonsens dhe e pakuptimtë. Kërkimi i mendimit nga Komisioni i Venecias ka për qëllim vetëm zvarritjen dhe shtyrjen e kësaj çështjeje, ndërsa ajo mund të rregullohet shumë lehtë. Prandaj, jam i mendimit se procedura është shumë e shkurtër dhe intervenimi juridik është shumë i rëndomtë e i thjeshtë, saqë nuk ka nevojë të kërkohen mendime nga organet evropiane. Në aspektin juridik nuk ka asnjë lloj kontesti që kjo çështje të mos rregullohet.”, theksoi eksperti juridik Osman Kadriu.
Kadriu vlerëson se çështja mund të rregullohet shumë lehtë, përmes një dispozite të vetme ligjore që do të garantonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai sqaron se iniciativa duhet të nisë nga Ministria e Drejtësisë, të kalojë në Qeveri si propozim-ligj dhe më pas të votohet në Parlament.
“Kompetenca është e Ministrisë së Drejtësisë. Meqenëse kjo çështje është ligjore, ajo duhet të rregullohet me ligj. Edhe pse, sipas mendimit tim, nuk ka nevojë për një ligj të veçantë për provimin, por vetëm të shtohet një dispozitë e veçantë në Ligjin për provimin e jurisprudencës, e cila në mënyrë të qartë do të garantonte zbatimin e gjuhës shqipe dhe dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Meqenëse bëhet fjalë për intervenim në ligj, ligjin e miraton Parlamenti. Prandaj, propozoj që nga Ministria e Drejtësisë të burojnë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për provimin e jurisprudencës, ai propozim të kalojë në Qeveri, të marrë formën e projektligjit dhe më pas të procedohet në Parlament. Nuk ka nevojë që kjo çështje të shtjellohet më tej.”, u shpreh Kadriu.
Sipas tij, Kushtetuta e shtetit dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e garantojnë qartë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Ai rikujton se edhe Ligji për arsimin e lartë, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001, garanton arsimimin në gjuhën shqipe në nivel universitar. Për Kadriun, është e pakuptimtë që studentëve shqiptarë t’u garantohet arsimimi në gjuhën amtare, por jo edhe e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në shqip. /rtvm2






