
Sot në Koçan nisi punën qendra rajonale për shëndet mendor dhe mbështetje psiko-sociale e Kryqit të Kuq, njftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministri Azir Aliu e vizitoi qendrën, ku informoi se qëllimi është të vazhdohet me sigurimin e organizuar të ndihmës profesionale psikologjike, këshillimit dhe mbështetjes për personat e lënduar nga zjarri, familjet e tyre dhe gjithë komunitetin.
Nga atje thonë se qendra për shëndet mendor do të jetë një vend për kujdes të besueshëm dhe të sigurt, me theks në përballimin e traumës, humbjes dhe pasojave emocionale.
“Në fazën e parë, në kuadër të Qendrës, do të punojnë nëntë psikologë, të cilët do të ofrojnë seanca individuale dhe grupore, psiko-edukim dhe mbështetje për vullnetarët dhe të punësuarit. Kjo qendër është shembull se si duhet të duken objekte të tilla në mbarë vendin”, thonë nga atje.
Aliu informoi se në tre vitet e ardhshme, qendra do të ketë në dispozicion një buxhet prej 150 mijë eurosh, të siguruara nga Kryqi i Kuq i Austrisë dhe i Serbisë, si dhe partnerë e donatorë të tjerë. Mjetet do të përdoren për sigurimin e pajisjeve moderne, programe edukative dhe mbështetje të vazhdueshme për stafin profesional, me qëllim që qytetarët të marrin shërbime sa më cilësore.
“Kjo iniciativë tregon vazhdimësinë e kujdesit për personat e lënduar nga tragjedia në Koçan, duke pasur parasysh se që nga fillimi, shpenzimet për trajtimin dhe rehabilitimin e të lënduarve janë mbuluar nga shteti. Pas përfundimit të trajtimit spitalor, u sigurua edhe rehabilitimi i personave të lënduar në objektin e Ponikvës. Pikërisht atje, përveç rehabilitimit dhe pranisë 24-orëshe të fizioterapistëve, u mundësua edhe mbështetje psikologjike e vazhdueshme, e cila tani vazhdon në këtë qendër në Koçan.
Përkushtimi ynë është që të gjithë pacientët të marrin kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen psiko-sociale të nevojshme”, shtoi Aliu./Telegrafi/





