
Ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini është ndaluar sot në një aksion të Ministrisë së Brendshme, të kryer në koordinim me Prokurorinë Publike.
Ai dyshohet për përvetësim dhe keqpërdorim të afërsisht 700.000 eurove, fonde të siguruara nga UEFA për mbështetjen dhe ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër.
Ministria e Brendshme njofton se oficerët e policisë nga Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, së bashku me policinë kriminale, e kanë ndaluar personin M.S. me dyshimin për kryerjen e veprave penale.
“Oficerët e policisë, në koordinim me Prokurorinë Publike në Shkup, e privuan nga liria M.S. me dyshimin për përvetësim dhe keqpërdorim”, thonë nga MPB.
Nga Prokuroria tregon se hetimi është duke vazhduar dhe se po ndërmerren veprime shtesë.
“Po ndërmerren veprime me urdhër të prokurorit publik, dhe më shumë informacione do të shpallen pas përfundimit të tyre”, njoftojnë nga Prokuroria Publike./Telegrafi/




