
Qëndrimi im është se, në mënyrë sistematike, sundimi i ligjit mbetet problem në perceptimin e qytetarëve, sepse në thelb ne nuk kemi sundim të ligjit, por kemi pazare në drejtësi, për fat të keq, tha Kryeministri Hristijan Mickoski
Mickoski në “RTVM” theksoi se nuk është i kënaqur me sistemin gjyqësor, duke shtuar se pret zbardhjen e të gjitha aferave, pasi vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të fillojnë të ndryshojnë perceptimin e tyre për besimin ndaj organeve të drejtësisë.
“Tre ngjarje nga e kaluara kanë krijuar një problem të tillë, i cili ka lënë pasoja shkatërruese në sistemin e drejtësisë dhe mendoj se do t’i ndiejmë edhe për një kohë. E para është periudha kur OBRM-PDUKM ishte partia më e madhe opozitare jashtë Kuvendit, pas zgjedhjeve të vitit 1994, ose ai proces i njohur i zgjedhjes së gjyqtarëve që ndodhi gjatë qeverisjes së viteve 1994–1998.
Ai ishte një proces i plotë i partizimit të sistemit gjyqësor nga ana e qeverisë së atëhershme. Problemi i dytë, për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm, është PSP-ja dhe të gjitha rrethanat që i paraprinë dhe pasuan krijimin e saj. Asaj i paraprinë të ashtuquajturat Marrëveshje të Përzhinës dhe negociatat e viteve 2015–2016. Si rezultat u krijua ky “implant”, si një marrëveshje dhe kompromis politik, ndërsa më pas gjithçka që pasoi ishte padrejtësi. Një qeveri tjetër e përdori atë institucion si mjet politik për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë, atëherë opozitës, ose për të realizuar interesa personale apo politike.
Këtu nuk do e komentoj mënyrën se si ish-prokurorja speciale publike, nga burgu, praktikisht i transferoi kompetencat te Prokuroria Publike e Shtetit, e më pas ish-prokurori publik i shtetit, ose për të qenë më i saktë paraardhësi i prokurorit të kaluar, ua transferoi ato kompetenca prokurorëve që vinin nga PSP-ja tashmë e shpërbërë.
Ju kujtohet se si erdhi ajo në derë të madhe, e përkrahur me aklamacion nga bashkësia ndërkombëtare, pjesërisht edhe e financuar prej saj, me pritshmëri se nuk e di çfarë do të ndodhte, se ata njerëz të cilët treguan kapacitet mediokër do të sjellin drejtësi dhe vlera. Dhe të gjithë ne e dime se si përfundoi e gjithë kjo. Dhe për ta treguar karakterin e tyre të ngushtë, mbeten edhe ato bonuset që sot e kësaj dite mbetën të pazbardhura”, deklaroi Mickoski./Telegrafi/




