
Financat publike të qëndrueshme dhe stabiliteti makroekonomik janë kruciale në kushtet e rritjes së pasigurisë globale, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë fjalimit të saj në Dialogun ekonomik dhe financiar, i cili u mbajt sot në Bruksel, njoftojnë nga Ministria e Financave.
Në suaza të Dialogut të 12-të ekonomik dhe financiar, u diskutua zhvillimi ekonomik, sfidat dhe planet, si dhe u miratuan rekomandime për politikat e targetuara për secilin vend, të cilat duhet të zbatohen në periudhën e ardhshme.
“Hapësira e kufizuar fiskale është çështja më urgjente me të cilën përballen ministrat e Financave pas disa krizave të njëpasnjëshme dhe përkrahjes së fuqishme fiskale të ofruar gjatë pandemisë”, tha Koçoska.
Ajo theksoi se, pavarësisht sfidave që lidhen me zhvillimet globale dhe presionet e reja energjetike, ekonomia e vendit pritet të vazhdojë me rritjen stabile, ngadalësimin e moderuar në periudhën afatshkurtër dhe përshpejtimin gradual në plan afatmesëm, duke monitoruar me kujdes risqet e përkeqësimit të gjendjes gjeopolitike.
Hapësira e kufizuar fiskale, siç theksoi Ministrja, është një nga sfidat kryesore, e cila kërkon balancim të kujdesshëm midis nevojës për investime dhe ruajtjes së stabilitetit fiskal.
“Konsolidimi fiskal është gradual, kurse rritja ekonomike e Maqedonisë në periudhën e ardhshme do të nxitet kryesisht nga investimet në infrastrukturën e transportit, shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Gjithashtu, duke pasur parasysh ndryshimin e shpejtë të klimës gjeopolitike, sektori energjetik ka përparësi, sepse disponueshmëria dhe qasja e energjisë elektrike bëhen thelbësore për rritjen, investimet dhe axhendën politike. Kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme për balancimin midis nevojave financiare për investime dhe hapësirës së kufizuar fiskale”, shtoi Ministrja.
Po ashtu, Koçoska potencoi se fokusi është vendosur mbi zbatimin e reformave për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike përmes konsolidimit fiskal gradual, përmirësimit të menaxhimit të investimeve publike, digjitalizimit dhe vendosjes së e-faturës, uljes së ekonomisë joformale, përgatitjes së raportit të shpenzimeve tatimore dhe revizionit të shpenzimeve.
Ministrja sqaroi se procesi evropian mbetet nxitësi krucial i reformave, të cilat synojnë transformimin strukturor të ekonomisë, energjetikën dhe tranzicionin digjital, si dhe përmirësimin e mjedisit afarist./Telegrafi/




