
Ndalimi i studentëve shqiptar nga policia e Maqedonisë së Veriut gjatë protestave të studentëve dhe qëndrimi i ambasadorit shqiptar Denion Meidani në lidhje me këtë çështje, kanë qenë temë diskutimi në emisionin “Top Story” në Top Channel. Profesori i kriminalistikës dhe analisti shqiptar Ervin Karamuço, theksoi se ambasadori Denion Meidani është ambasadori më i ndjekur dhe më i përgjuar që ka pasur ndonjëherë Maqedonia e Veriut.
Karamuço tha se qëndrimi i Meidanit për çështjen e studentëve në Maqedoninë e Veriut nuk është qëndrim personal, por në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
“Është ambasadori më i ndjekur dhe i përgjuar në Maqedoninë e Veriut. Është akuzuar për destabilizim të Maqedonisë, ndërkohë ai ushtron të drejtën si përfaqësues i një vendi tjetër në bazë të udhëzimeve që merr nga Ministria e Jashtme, nuk ka qëndrime personale. Më kujtohen vitet e komunizmit, kur ambasadorët kishin vetura që i rrini pas dhe ndiqeshin se nga shkojnë”, tha Karamuço.
Ai më tej theksoi se studentët shqiptar të Maqedonisë së Veriut te ambasadori shqiptar kanë gjetur mbështetjen që nuk e kanë gjetur tek partitë politike në Maqedoni, qofshin ato në opozitë ose në qeveri.
Ndryshe, pas ndalimit të studentëve shqiptar nga policia e Maqedonisë së Veriut, Meidani në një postim në Facebook shkroi se “kur studentët ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale”.
“Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon. Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare. Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore. Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore”, shkroi Meidani.
Pas protestave të studentëve, në opinion dolën informacione se Meidani mund të largohet nga misioni i tij në Maqedoninë e Veriut dhe të dërgohet në Kosovë. /Telegrafi/





