Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut njofton se ka formuar lëndë në të cilën kontestohet Protokolli i takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për shkak të interesit më të madh publik, ju informojmë se është formuar lëndë UZ.44/2025, në të cilin kontestohet Protokolli i takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë, i miratuar më 17 korrik 2022 në Sofje. Një procedurë paraprake është duke u zhvilluar në të cilën po shqyrtohen të dhënat dhe njoftimet e nevojshme për marrjen e një vendimi”, njoftojnë sot nga Gjykata Kushtetuese e RMV-së.

Nismëtarja e iniciativës është Liljana Popovska, e cila deklaroi se Protokolli i kontestuar shkel nenin 8, paragrafi 1, rreshtat 1, 2 dhe 11 të Kushtetutës dhe pretendon se ka një formë dhe përmbajtje të papërshtatshme, se del jashtë kornizës së një akti juridik që merret me një nen të një Marrëveshjeje midis dy vendeve dhe prodhon efekte të dëmshme për çështjet e identitetit për popullin, gjuhën dhe shtetin maqedonas.

“Sipas asaj që thuhet në iniciativë, Protokolli është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse nuk është ratifikuar nga Kuvendi, nuk është publikuar brenda afatit të caktuar kushtetues në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për më tepër, pretendohet se është në kundërshtim me nenet 6-16, 19, 20 dhe 26 të Ligjit për Lidhjen, Ratifikimin dhe Ekzekutimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, sepse nuk është respektuar procedura për negocimin, miratimin nga Qeveria dhe nënshkrimin e tij.

Parashtruesja kërkon anulimin e Protokollit dhe deklaron se anulimi është i justifikuar në përputhje me Konventën e Vjenës mbi të Drejtën e Marrëveshjeve (1969), e cila lejon anulimin në rastet kur është në kundërshtim me një normë urdhëruese të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare, të cilën ajo e interpreton edhe në këtë rast. Në iniciativë thuhet se Protokolli nuk është një akt i plotë i miratuar nga Kuvendi, por mbetet vetëm procesverbali i një takimi të një Komisioni Ndërqeveritar.

Pretendohet se ndryshe nga procedura e zbatuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila vlerësohet si jotransparente dhe me mangësi, Komisioni Parlamentar Bullgar diskutoi tekstin e Protokollit që më 23 qershor 2022, një muaj para se Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve ta nënshkruanin Protokollin, dhe më pas në një seancë më 24 qershor 2022, miratoi të gjithë pakon e propozimit francez për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut me Protokollin e përfshirë në mënyrë implicite”, thonë nga Gjykata./Telegrafi/

Gjykata Kushtetuese ka formuar lëndë në të cilën kontestohet Protokolli i takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version