Moderatori i famshëm amerikan, Jimmy Kimmel, ka njoftuar se ka marrë nënshtetësinë italiane, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
Në një bisedë të fundit për “The Sarah Silverman Podcast”, dy komedianët, të cilët kanë qenë në një lidhje dashurie vite më parë dhe mbeten miq, diskutuan rreth gjendjes së politikës amerikane dhe faktit që disa të famshëm, përfshirë Rosie O’Donnell dhe Ellen DeGeneres, janë larguar jashtë vendit përpara mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump.
“Shumë njerëz që njoh po mendojnë se ku mund të marrin shtetësi tjetër,” tha Sarah Silverman.
“Unë e mora shtetësinë italiane,” iu përgjigj Jimmy Kimmel. “E kam tashmë.”
“Ajo që po ndodh është… aq keq sa e mendoje se do të ishte, është edhe më keq,” vazhdoi Kimmel. “Është e pabesueshme. Mendoj se është ndoshta edhe më keq sesa ç’do të donte ai vetë (Trump).”
Kimmel, i cili ka qenë kritik i hapur i Trump-it, tha se njerëzit që kanë votuar për presidentin nuk duhet të dënohen nëse kanë shprehur pendesë më pas.
“Duhet të mbajmë derën hapur,” tha Kimmel. “Nëse do të ndryshosh mendim, është shumë e vështirë ta bësh. Nëse do të pranosh se ke gabuar, është shumë e vështirë dhe shumë e rrallë ta pranosh – je i mirëpritur.”
“S’mund ta besoj që votova për të tre herë!” bëri më pas shaka Kimmel.
Kimmel aktualisht është në pushim veror nga prezantimi i emisionit të tij të përnatshëm në ABC, por së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes pasi Trump reagoi për anulimin e emisionit “Late Night with Stephen Colbert”.
“Kam dëgjuar se Jimmy Kimmel është i radhës (për t’u anuluar),” shkroi Trump në një postim në Truth Social muajin e kaluar.
Rreth të njëjtës kohë, Kimmel ndau një foto nga pushimet në Jackson Hole, ku mori pjesë në një protestë kundër Trump-it me familjen e tij. Komediani mbante një pankartë ku shkruhej: “TA BËJMË AMERIKËN TË MIRË SËRISH.” Gruaja e tij, Molly McNearney, skenariste dhe producente ekzekutive e “Jimmy Kimmel Live”, mbante një tjetër pankartë ku shkruhej: “MOS U PËRKUL.”
Jimmy Kimmel merr nënshtetësinë italiane, i frikësohet gjendjes së ShBA-së nën Trumpin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.