
Çështja e gjuhës shqipe është bërë sërish temë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, për të cilën këtë herë në seancën për pyetje të deputetëve, kanë diskutuar deputeti i BDI-së Blerim Bexheti dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ky i fundit duke iu përgjigjur Bexhetit në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe, tha se “në shekullin 21 njerëzit kanë shkuar në Mars, ndërsa BDI tenton që me populizëm të fitojë pikë politike”.
“Njerëzit në shekullin 21 në Mars kanë shkuar, ndërsa ju tentoni me populizëm të vogël të fitoni ndonjë pikë, ndërsa humbni. Mendoni se do të bëni diçka për ju dhe partinë tuaj. Kjo ka mbaruar, po ua them unë. Kjo është Maqedoni e re, në të cilën çdo qytetar kontribuon dhe mundohet në mënyrë të barabartë”, tha mes tjerash Mickoski.
Ai gjithashtu theksoi se nuk ka asgjë kundër gjuhës shqipe, duke shtuar se nuk do të lejojë që BDI të luajë në tema etnike dhe populiste.
“Askush nuk është kundër përdorimit të gjuhëve në Maqedoni që përdoren nga pjesë të popujve në territore të caktuara ose në të gjithë territorin, në këtë rast gjuha shqipe, as që e ka kontestuar ndonjëherë askush këtë. Do të jap një shembull, dje Presidenti i Konfederatës Zvicerane ishte mysafir, dhe ndërsa foli dhe u drejtua në anglisht, në sfond kishte përkthim në maqedonisht dhe shqip. Kushtetuta thotë se gjuha e vetme në përdorim ndërkombëtar është maqedonishtja, kështu që kjo nuk na shqetësoi. Edhe fjalimi im u përkthye në shqip, kështu që nuk na shqetësoi dhe nuk do të na shqetësojë”, theksoi kryeministri Mickoski./Telegrafi/





