
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në fjalimin e sotëm para ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, konfirmoi angazhimin e vendosur të Qeverisë për reformat gjyqësore.
“Fokusi ynë në këtë periudhë është në masat me afat deri në qershor 2026. Po punojmë intensivisht, me dinamikë të qartë dhe rezultate të matshme”, theksoi Filkov.
Ai informoi se Ministria e Drejtësisë po punon në mënyrë aktive për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, me grupin e punës të ngritur që tashmë ka mbajtur disa takime dhe ka miratuar një pjesë të konsiderueshme të zgjidhjeve të propozuara.
“Procesi është aktiv, transparent dhe i orientuar drejt konsensusit. Konsultimet me institucionet dhe sektorin e shoqërisë civile janë të vazhdueshme dhe do të vazhdojnë me intensitet të shtuar”, theksoi Ministri.
Duke iu referuar reformave në gjyqësor, Filkov theksoi se Ligji për Këshillin Gjyqësor tashmë po jep rezultate konkrete.
“Ne kemi futur kritere të qarta, standarde të matshme dhe llogaridhënie aty ku më parë mungonin. Kjo është provë se reformat nuk mbeten vetëm në letër”, tha ai.
Ministri theksoi se ligjet kryesore për prokurorinë publike, të cilat morën mendim pozitiv nga Komisioni i Venedikut, po përballen me sfida në procedurën parlamentare.
“Për fat të keq, gjatë procedurës parlamentare, opozita vendosi të bllokojë miratimin e këtij ligji kyç reformues për Pokurorinë Publike. Edhe pse ne pranuam shumicën e amendamenteve të tyre, në vend të një kontributi konstruktiv, ata për fat të keq vendosën të bllokojnë perspektivën evropiane të vendit tonë”, theksoi Filkov, duke shtuar se “përgjegjësia për të ardhmen evropiane është e përbashkët dhe vendosmëria jonë mbetet e palëkundur./Telegrafi/




