
Ministri i çështjeve evropiane, Bekim Sali, ditë më parë deklaroi se të enjten do të sillet një draft final mbi ligjin për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, teksa do të vendosej nëse i njejti ligj do të dërgohet në Komisionin e Venecias ose jo.
Sot është e premte dhe ende një version i tillë i paralajmëruar nuk është publikuar, ndaj për këtë reaguan nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga BDI thonë se edhe pse ende një zgjidhje nuk ka, shumë më mirë kështu, sesa të aplikohet ndonjë zgjidhje që do të jetë jashtë Ligjit të Gjuhëve.
Reagimi i plotë nga BDI:
“Të enjten tha: do të ketë zgjidhje përfundimtare. Sot është e premte.Zgjidhje nuk ka.
Dhe për herë të parë, kjo është një lajm i mirë. Sepse çdo zgjidhje jashtë Ligjit për Gjuhët do të ishte katastrofale.
Mesa duket, nuk janë të aftë të bëjnë as zgjidhje të këqija.”
Kujtojmë se studentët në Maqedoni protestuan dy herë në Shkup duke kërkuar të drejtën e tyre kushtetuese që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Pas protestave reagoi edhe kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, i cili tha se duhet të kenë durim, sepse çështja duhet të zgjidhet sipas ligjit. /Telegrafi/



