Irani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për sulmin e dyfishtë të një dite më parë gjatë ceremonisë përkujtimore të ish-komandantit të lartë iranian, ku u vranë rreth 100 persona. Regjimi i Teheranit është zotuar se do të përgjigjet.
Një zëdhënës politik i presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, tha se Uashingtoni dhe Izraeli kanë përgjegjësi për ngjarjen dhe se po mundohen të fshihen. Por Departamenti Amerikan i Shtetit, Mathew Miller, i hodhi poshtë pretendimet.
“Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë në asnjë mënyrë dhe çdo sugjerim për të kundërtën është qesharak. Ne nuk kemi gjithashtu asnjë arsye të besojmë se Izraeli ishte i përfshirë në këtë shpërthim.”, tha zëdhënësi i DASH Mathew Miller.
Më herët ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, deklaroi se Teherani po vepronte përmes Kombeve të Bashkuara, të cilat e kanë dënuar sulmin, por pa dhënë shumë detaje. Incidenti i një dite më parë ka shtuar frikën e zgjerimit të konfliktit në rajon, ndërsa Izraeli vazhdon luftën kundër Hamasit. Edhe rebelët “Huthi” me bazë në Jemen, aleatë me Iranin, vazhdojnë sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve nuk është konfirmuar ende nga autoritetet iraniane. Kasem Soleimani u vra katër vite më parë nga një sulm ajror amerikan në Irak, ndërsa përvjetorët e vdekjes së tij edhe më parë kanë tërhequr turma të mëdha. Në funeralin e Soleimanit më 2020 mijëra njerëz morën pjesë dhe shtypën njëri-tjetrin./vizionplus.tv