
Të paktën 8 persona humbën jetën dhe 21 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi që ndodhi brenda një xhamie në qytetin e Homsit, gjatë lutjeve të së premtes, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA.
Sipas zyrës së shtypit të qytetit të Homsit, një pajisje shpërthyese plasi brenda xhamisë “Ali bin Abi Talib”, ndërsa forcat e sigurisë kanë rrethuar menjëherë zonën. Deri më tani nuk ka pasur asnjë pretendim për përgjegjësinë e sulmit.
Agjencia SANA bëri me dije se kanë niur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit.
Ndërkohë, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) deklaroi se ende nuk është e qartë nëse shpërthimi ishte rezultat i një sulmi vetëvrasës apo i një pajisjeje shpërthyese të vendosur brenda xhhamisë.
Qyteti i Homsit është i banuar kryesisht nga një popullsi sunite, por përfshin edhe disa lagje ku jeton pakica alevite.
Ish-presidenti Bashar al-Assad, i rrëzuar nga pushteti në dhjetor 2024 nga një koalicion grupesh rebele islamiste sunite të udhëhequra nga Ahmed al-Sarrah, presidenti i përkohshëm i Sirisë, vjen nga pakica myslimane alavite, komunitet që ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve muajt e fundit.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, më shumë se 1,700 njerëz, shumica e të cilëve anëtarë të pakicës alevite, u vranë në mars.
Duke reaguar për ngjarjen, Ministria e Jashtme e Sirisë e cilësoi sulmin si një “përpjekje të dëshpëruar për të destabilizuar vendin”.








