Të paktën 4,360 njerëz, duke përfshirë rreth 1,900 civilë, u vranë në vitin 2023 në konfliktin në Siri që po vazhdon që nga viti 2011, njoftoi organizata joqeveritare Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).
Vitin e kaluar, Observatori njoftoi se 3,825 njerëz vdiqën në vitin 2022, që ishte numri më i ulët i vdekjeve që nga fillimi i luftës në Siri.
Midis viktimave në vitin 2023 janë 1,889 civilë, duke përfshirë 241 gra dhe 307 fëmijë, sipas OJQ-së me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka një rrjet të madh burimesh në Siri.
Pas disa vitesh luftimesh dhe bombardimesh shkatërruese, konfliktet kanë filluar të zbuten vitet e fundit.
Luftime të herëpashershme dhe sporadike, krahas sulmeve xhihadiste, po zhvillohen kryesisht në lindje të vendit.
Konflikti në Siri filloi në mars 2011 me shtypjen e demonstratave antiqeveritare, por më vonë lufta u bë më komplekse me pjesëmarrjen e aktorëve ndërkombëtarë dhe grupeve xhihadiste.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë vdekur.
Autoritetet e presidentit sirian Bashar al-Assad kanë rifituar kontrollin e një pjese të madhe të territorit me mbështetjen e aleatëve rusë dhe iranianë, por forcat kurde siriane kontrollojnë zona të mëdha në veri dhe verilindje. /vizionplus.tv