
Ajshe Avdiji është e ftuara e radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për pasionin e saj të drejtimit të makinave, “drift” dhe garat në pista. Ajshe Avdiji është e vetmja femër shqiptare në Maqedoninë e Veriut që sfidon stereotipet duke u marrë me gara sportive me makina.
Ajo na tha se mbështetjen më të madhe në fillim e ka pasur nga bashkëshorti i saj, ndërsa na tregoi edhe për planet për të ardhmen.
“Jam rritur si vajza më e madhe në familje dhe disa herë kam bërë punë edhe prej zori. Më fle zemra kur jam në veturë, sidomos ato sportive. Burri është mbështetja më e madhe. Në fillim ndoshta jam dorëzuar, ai ka qenë që më ka thënë të vazhdoj”.
“Disa më thonë Shote Galica disa driferka. Këtë vit e kam në plan të marr pjesë në garat e shpejtësisë, por më shumë më fle në zemër “drifti”. Drifti i ka taktikat, reflekset, veturat janë të bëra special për drift, është shpejtësia, djegia e gomës. Kur futem në makinë i harroj të gjitha problemet”, tha Ajshja.
Ajo tregoi se ka përfunduar shkollën e driftit në Bolonja të Italisë dhe ka të drejtë të merr pjesë në garat e Evropës.
“Kam përfunduar shkollën e driftit në Bolonja të Italisë. Me atë kam të drejtë të marr pjesë në garat e Evropës, por për shkak se nuk kam mbështetje nga institucionet, unë vazhdoj vetë. Nuk dua ta përfaqësojë Maqedoninë, derisa nuk kam mbështetjen e shtetit”.
“Është sport i shtrenjtë. Ka harxhime të gomave, të ndryshimit të lokacioneve. Tek ne nuk e kuptojnë pjesën e marketingut dhe bashkëpunimit. Ka harxhime të mëdha, por e kam pasion dhe nuk mund ta ndërprejë”, tha Ajshe Avdiji.
Në planet e saj për të ardhmen, ajo tha se ka themeluar shoqatën e saj për drift dhe planifikon që t’i mësojë të rinjtë për sportin e drifting.
“E kam projektin për ta mësuar draftin për të tjerët. Kam shoqatën Reoline drift, shoqatë e paraqitur dhe gjithçka ligjore, pra mund të jap diploma me vulë”, tha Ajshe Avdiji.
Ajo u bëri thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes./Telegrafi/





