
Edhe pse në numër të vogël, ende ka punonjës që kanë marrë pagë pa u paraqitur fare në punë në Institutin e Shëndetit Publik.
Ndaj tyre nuk mund të ndërmerren masa, pasi kartelat e tyre elektronike të evidencës janë regjistruar nga persona të tjerë.
Zgjidhja po shihet në vendosjen e pajisjeve për identifikim me gjurmë gishtash në të gjitha klinikat dhe institucionet shëndetësore.
Pothuajse të gjithë punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik që nuk paraqiteshin në vendin e punës, por figuronin të pranishëm përmes kartelave elektronike të regjistruara nga persona të tjerë, kanë dhënë vetë dorëheqje pasi u është kërkuar të punojnë me orar të plotë. Drejtoresha e Institutit, Marija Andonovska, tha se aktualisht në listën e pagave kanë mbetur vetëm dy ose tre persona nga kjo kategori.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se ligji është i qartë dhe duhet të respektohet. Sipas tij, çdo punonjës që mungon pa arsye për tre ditë radhazi në vendin e punës, humbet të drejtën e punësimit. Ai vlerëson se sistemi i hyrje-daljeve me gjurmë gishtash do të mundësojë kontroll më efikas dhe do të parandalojë keqpërdorimet.
Aliu, Andonovska dhe kryeministri Hristijan Mickoski morën pjesë në inaugurimin e qendrës së parë të këshillimit psikologjik për fëmijë dhe adoleshentë në Institutin e Shëndetit Publik. Sipas tyre, kjo shënon fillimin e një qasjeje të re ndaj shëndetit mendor të të rinjve.
Shërbimi do të jetë i qasshëm edhe përmes sistemit “Termini Im”, ndërsa gjatë aktivitetit u prezantuan edhe kapacitetet e reja të laboratorëve mikrobiologjikë. përcjell Zhurnal.mk .





